Jerusalemi është me rëndësi për çifutët për shkak të murit të vajtimit dhe Tempullit të Solomonit, sikurse besojnë ata, si dhe për të krishterët sepse në të gjendet “varri” i Jezusit sipas bindje së tyre.
Jerusalemi është vendi i tretë për nga shenjtëria në botën islame. Në të ndodhet Xhamia El Aksa. Ajo është xhamia e dytë që Ibrahimi a.s. e ndërtoi 40 vjet pas xhamisë së Qabesë.
Që nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi edhe Jerusalemin Lindor, KB dhe Këshilli i Sigurimit miratuan një sërë rezolutash që nuk pranonin aneksimin izraelit të Jerusalemit Lindor dhe shfuqizuan çdo masë të ndërmarrë fizike apo administrative për të ndryshuar statusin e qytetit.
Mirëpo, Izraeli, sikurse shprehet Naom Chomsky, është shteti që i ka refuzuar më së shumti rezolutat e KB. Izraeli përdor vazhdimisht një retorikë të shenjtë gjatë diskutimit për pandashmërinë e Jerusalemit. Izraeli e konsideron Jerusalemin si selinë e vet unike dhe të përhershme nën sovranitetin izraelit. Prandaj tenton me këmbëngulësi që ta largojë çështjen e Jerusalemit nga bisedimet në lidhje me zgjidhjen e problemit palestinez dhe refuzon pjesëmarrjen e banorëve të Jerusalemit në çfarëdo funksioni të administratës autonome palestineze. Ndërkaq, sipas qëndrimit palestinez, Jerusalemi është pjesë e Bregut Perëndimor, prandaj për Jerusalemin vlejnë të gjitha ato ligje që vlejnë për çdo pjesë të territoreve të pushtuara.
Vendet katolike e bindën OKB që Jerusalemi, për shkak të rëndësisë së tij fetare, të bëhet qytet ndërkombëtar, prandaj në përputhje me këtë, UNSCOP-i e ka hedhur poshtë kërkesën e sionistëve që qyteti i shenjtë të bëhet pjesë e shtetit të ardhshëm hebraik.
Shmangie nga qëndrimi zyrtar amerikan përbënë deklarimi i kandidatit për president të SHBA-së Barak Obama, i cili disa orë pas prezantimit të vetes së tij si kandidat i demokratëve për president i SHBA, gjatë bisedës së tij për politikën e jashtme amerikane, kishte thënë se e përkrahte mendimin që Jerusalemi të ishte kryeqytet i pandarë i Izraelit. Këtë qëndrim e ka kundërshtuar presidenti palestinez, Mahmud Abas i cili ka deklaruar se nuk ka shtet palestinez pa Jerusalemin. Ai ka mbrojtur të drejtën e palestinezëve që Jerusalemi Lindor, i pushtuar në vitin 1967, të jetë kryeqytet i shtetit të Palestinës.
Një Jerusalem, me histori arabe dhe me tolerancë, ku Hebraizmi, Krishterizmi dhe Islami mund të jetojnë në harmoni dhe liri të plotë, do të ishte një zgjidhje ideale për këtë qytet. Në Jerusalem, që është qytet i paqes dhe që gëzon respekt nga të tria fetë, ka mbizotëruar paqja që nga çlirimi i Jerusalemit nga muslimanët. Mirëpo, Izraeli nuk dëshiron t’i pranojë faktet historike dhe pohon se ka të “drejtë të shenjtë” mbi qytetin dhe se popullsia e tanishme e tij ka prejardhje prej hebrenjve biblikë. Izraelitët, vazhdimisht, janë munduar ta mohojnë karakterin historik të Jerusalemit si qendër e tre feve botërore.
Okupimi i Jerusalemit paraqet shkelje të vendimeve të OKB-së dhe cenim të deklaratës së Balfourit, ku është thënë se: “nuk do të bëhet asgjë që mund të cenojë të drejtat civile dhe fetare të komuniteteve ekzistuese joçifute në Palestinë”. Izraeli, nëpërmjet mjeteve ushtarako-politike, e ka ndryshuar strukturën demografike të qytetit në dëm të popullatës arabe. Duke theksuar se e drejta e çifutëve për Jerusalemin është më e fuqishme sesa e muslimanëve dhe e krishterëve, lëvizja sioniste ka deklaruar se pa Jerusalemin, si qendër e hebraizmit, nuk mund të ekzistojë as Izraeli si shtet. Ish kryeministri izraelit, Ben Gurion, është shprehur: “Izraeli nuk ka kuptim pa Jerusalemin dhe vetë Jerusalemi nuk ka kuptim pa tempullin (e Solomonit)”.
Dr. Ajni Sinani