Namazet farz: Janë namazet të cilat duhet të falen detyrimisht dhe nuk mund të lihen pa asnjë pretekst.
Kryerja e namazit farz ka sevape, ndërsa moskryerja ka gjynahe dhe meriton dënim edhe në këtë Botë edhe në Boten tjetër, ndërsa ai që e mohon konsiderohet jobesimtar (kafir), kurse personi i cili këtë normë nuk e mohon në esencë porse nuk e zbaton dhe për mos zbatim nuk ka arsyetim juridik konsiderohet Fasik (njeri shkatërrimtar- i prishur).
Namazet farz janë:
Namazi i sabahut: koha e namazit të sabahut fillon prej agimit e deri në lindjen e diellit. Me agim kuptojmë atë çast kur errësira fillon të venitet nga një dritë e hollë në horizont. Me shfaqjen e kësaj drite fillon dhe koha e namazit të sabahut. Namazi i sabahut përbëhet nga katër rekatë, dy sunet dhe dy farz.
Namazi i drekës: koha e namazit të drekës fillon kur dielli arrin pikën më të lartë dhe fillon të drejtohet nga perëndimi. Ky namaz ka 10 rekatë, katër sunet, katër farz dhe dy sunet të fundit.
Namazi i ikindisë: koha e namazit të ikindisë fillon atëherë kur mbaron koha e namazit të drekës dhe vazhdon deri në perëndim të diellit. Ka tetë rekatë, katër sunet dhe katër farz.
Namazi i akshamit: koha e namazit të akshamit fillon sapo perëndon dielli dhe përfundon kur zhduket krejtësisht drita. Ka pesë rekatë, tre farz dhe dy sunet.
Namazi i jacisë: koha e tij fillon kur errësohet plotësisht dhe vazhdon deri në agim. Ka dhjetë rekatë, katër sunet, katër farz dhe dy sunete të fundit.